Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka njoftuar se 1500 familje të reja janë shpallur fituese të programit të kredive të buta për blerjen e një banese.
Përmes një postimi, Veliaj bëri të ditur se i ka propozuar Këshillit Bashkiak miratimin e plotë të listës së përfituesve në mbledhjen e 29 tetorit. Ai theksoi se, pavarësisht izolimit dhe vështirësive në ushtrimin e detyrës, puna për qytetarët vijon.
Sipas tij, miratimi i listës do t’u japë mundësinë 1500 familjeve të përballojnë blerjen e një shtëpie të re. Veliaj u shprehu urimet përfituesve, duke e cilësuar këtë zhvillim si realizimin e një ëndrre për shumë familje të reja.
Postimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë!
I kam propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, ta miratojë të plotë listën, që këto familje të përballojnë blerjen e një shtëpie të re.
E marr me mend gëzimin e tyre, ndaj edhe i uroj nga zemra.

