Në fshatin Vajkal të Bulqizës, një zjarr që ka shpërthyer prej rreth 35 orësh vijon të jetë jashtë kontrollit, ndërsa ekipet në terren po përballen me vështirësi për të përmbajtur flakët.
Forcat e Bashkisë Bulqizë, Emergjencat Civile, Policia dhe shërbimet pyjore janë angazhuar pa ndërprerje në terren për të izoluar ogurët e zjarrit. Megjithatë, kushtet e vështira të terrenit po pengojnë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, duke e bërë operacionin edhe më të komplikuar.
Një helikopter u aktivizua gjatë ditës së djeshme për të ndërhyrë nga ajri në përpjekje për të shuar flakët. Sipas autoriteteve, zjarri është shpërndarë në disa pika të ndryshme. Ka dyshime fillestare se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.
Përveç rrezikut të flakëve, situata është rënduar edhe nga tymi i dendur që ka pushtuar qytetin e Bulqizës.
Autoritetet e Qarkut Dibër i kanë bërë thirrje strukturave përgjegjëse për ndërhyrje të menjëhershme ajrore, pasi rrezikohet përhapja e zjarrit drejt banesave të fshatit Vajkal.
Temperaturat e larta, terreni i papërshtatshëm dhe sasia e madhe e tymit kanë përkeqësuar situatën në këtë zonë.
Sipas banorëve, tymi i dendur u ka vështirësuar ndjeshëm frymëmarrjen.

