Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit do të përfshijë edhe territorin e Bashkisë Shkodër, ku parashikohen ndërhyrje të rëndësishme në trase, ura, tombino dhe kalime hekurudhore. Projekti synon modernizimin e një prej akseve kryesore hekurudhore të vendit dhe përafrimin e tij me standardet europiane.
Detajet e projektit dhe ndikimet që pritet të ketë ai në territor u prezantuan gjatë një dëgjese publike të zhvilluar në Bashkinë Shkodër. Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, specialistë dhe grupe interesi, ndërsa në fokus ishte edhe ndikimi social dhe mjedisor i ndërhyrjeve.
Sipas të dhënave të Hekurudhës Shqiptare, në territorin e Bashkisë Shkodër projekti përfshin rehabilitimin e trasesë nga kilometri 95+300, në Ganjollë, deri në kilometrin 111+500, në Përroin e Vrakës. Krahas rehabilitimit të trasesë, do të bëhet zëvendësimi i shinave, traversave dhe pjesëve metalike.
Ndërhyrje janë parashikuar edhe në vepra të tjera të infrastrukturës hekurudhore. Projekti përfshin zëvendësimin e tombinove dhe ndërtimin e mureve mbajtëse në zonat ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve të tokës. Në territorin e Bashkisë Shkodër parashikohet gjithashtu ndërtimi i pesë urave të reja, katër të vogla dhe një e madhe.
Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me rritjen e sigurisë përgjatë hekurudhës. Shtatë kalime të autorizuara në territorin e Bashkisë Shkodër do të përmirësohen dhe do të pajisen me sisteme të automatizuara sinjalizimi, sipas standardeve europiane.
Ndërkohë, kalimet e paautorizuara do të mbyllen. Për të ruajtur lidhjen e zonave të banuara do të krijohen mundësi alternative përmes rrugëve të shërbimit. E gjithë linja hekurudhore parashikohet gjithashtu të rrethohet me gardh, me qëllim parandalimin e hyrjeve të paautorizuara dhe uljen e rrezikut të aksidenteve.
Gjatë dëgjesës publike, Eriton Hasaj, specialist për marrëdhëniet me komunitetin pranë Hekurudhës Shqiptare, dhe Dhimitraq Marku, konsulent, folën për ndërhyrjet e parashikuara, ndikimin e projektit dhe marrëdhënien me komunitetet e zonave ku kalon hekurudha.
Rehabilitimi pritet të krijojë mundësi për rritjen e shpejtësisë së trenave dhe përmirësimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave. Në një perspektivë më të gjerë, projekti synon të krijojë një transport hekurudhor më të sigurt dhe funksional, me ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë linjës.
Megjithatë, realizimi i punimeve pritet të shoqërohet edhe me ndikime të përkohshme. Mes tyre janë kufizimet e qarkullimit në të dy anët e hekurudhës, si dhe ndërhyrjet që mund të prekin infrastrukturën ekzistuese gjatë fazës së ndërtimit. Në zonën e Shargës parashikohet gjithashtu zënia e një sipërfaqeje të kufizuar toke për përmirësimin e trasesë.
Një tjetër çështje e trajtuar lidhet me shpronësimet. Për sipërfaqet që do të preken, Hekurudha Shqiptare bën të ditur se procedurat e shpronësimit dhe kompensimit do të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e institucioneve financiare ndërkombëtare.
Projektimi i linjës ka përfunduar dhe ka marrë miratimet mjedisore në vitin 2023, ndërsa aktualisht po reflektohen ndryshimet e verifikuara në terren dhe po përditësohet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis.
Në të njëjtën kohë, projekti ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kontraktorit që do të realizojë punimet. Sipas parashikimeve, punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit pritet të përfundojnë deri në vitin 2030.
Me përfundimin e investimit, aksi Vorë–Hani i Hotit synon të ketë një infrastrukturë hekurudhore më moderne dhe të sigurt, duke përmirësuar lidhjen e veriut të Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit dhe duke forcuar rolin e transportit hekurudhor në lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave.

