Një mënyrë e drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët po zbatohet pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ku drejtori i Përgjithshëm, Valdrin Pjetri, zhvillon takime me qytetarë për çështjet që lidhen me pronësinë.
Nisma “Dita e Hapur” zhvillohet çdo të mërkurë dhe u mundëson qytetarëve nga qarqe të ndryshme që të paraqesin personalisht problematikat e tyre përpara drejtuesit të institucionit.
Gjatë takimeve diskutohen raste që lidhen me dosjet e pronave, njohjen e së drejtës së pronësisë, kompensimin dhe çështje të tjera që janë ende në proces shqyrtimi.
Përmes këtij komunikimi të drejtpërdrejtë, qytetarët marrin informacion mbi situatën e dosjeve të tyre dhe orientimin e nevojshëm nga drejtuesi dhe specialistët e Agjencisë.
Nisma synon të shkurtojë distancën mes institucionit dhe qytetarëve, duke i dhënë mundësi këtyre të fundit që problematikat e tyre t’i paraqesin pa ndërmjetës dhe të marrin përgjigje nga strukturat përgjegjëse.
“Dita e Hapur” vijon çdo të mërkurë, ndërsa në takime marrin pjesë qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, të cilët kërkojnë zgjidhje apo sqarime për çështjet e tyre të pronës.

