Një trup i dytë u zbulua nga autoritetet belge në Onhaye, vetëm një ditë pasi në të njëjtën zonë u gjet trupi i një fëmije. Dyshohet se trupat i përkasin Tymeo Brigou, 5 vjeç, dhe babait të tij, Bryan Brigou, 29 vjeç, të cilët ishin shpallur të zhdukur që prej 27 qershorit.
Gjetja e dytë u konfirmua të martën në mëngjes, në një distancë prej rreth dhjetë metrash nga trupi i fëmijës. Të dy trupat u identifikuan në një zonë të pyllëzuar pranë autostradës N97 dhe ishin në gjendje të avancuar dekompozimi.
Prokurori i Namurit, Etienne Gaublomme, gjatë një deklarate për media theksoi se trupi i dytë “me shumë mundësi” i përket Bryan Brigou, megjithatë procesi zyrtar i identifikimit nuk është përfunduar ende.
Sipas hetuesve, provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, përfshi veshjet dhe elementë të tjerë përshkrues, forcojnë besimin se trupi i parë është i fëmijës, Tymeo Brigou.
Babai dhe i biri ishin parë për herë të fundit më 27 qershor në zonën e Onhaye. Vetëm një ditë pas zhdukjes, automjeti i Bryan Brigou u gjet i braktisur pranë një fushe futbolli, rreth dy kilometra larg nga pika ku u zbuluan trupat.
Njoftimi i autoriteteve bën të ditur se rajoni ishte kontrolluar më parë, përfshirë nga ajri, por një dëshmi e re e mbërritur të hënën i çoi hetuesit të përqendronin kërkimet në një hapësirë tjetër.
Autopsitë që do të kryhen pritet të japin përgjigje për identitetin, kohën dhe shkakun e vdekjeve. Prokuroria ka bërë të ditur se “në këtë fazë asnjë pistë nuk është përjashtuar”, dhe origjina e ngjarjes mbetet ende e paqartë, përfshirë opsionet e vrasjes, vetëvrasjes apo ndonjë rrethane tjetër.

