Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pohuar se Irani ka kryer një përpjekje për të vrarë njërin nga djemtë e tij, por nuk ka ofruar informacione shtesë lidhur me metodën apo rrethanat e këtij incidenti të supozuar.
Kjo deklaratë u bë gjatë një bisede telefonike me korrespondentin ushtarak të Channel 14, Noam Amir, me bisedën e transmetuar të hënën.
“Ky është një rast i pabesueshëm. Irani shënjestroi një nga djemtë e mi. U përpoq ta vriste atë”, deklaroi Netanyahu.
Kur u pyet nëse kishte marrë këtë informacion si pjesë të të dhënave të komunikimit, Netanyahu përsëriti akuzën, duke theksuar rëndësinë e rritjes së nivelit të sigurisë.
Sipas kreut të qeverisë izraelite, ky kërcënim e bën më të domosdoshme forcimin e masave mbrojtëse, duke paralajmëruar se në mungesë të tyre, sulmi potencial ndaj djalit të tij mund të kishte pasur pasoja të tjera.
Njëkohësisht, Netanyahu kërkoi vetëpërmbajtje në këtë periudhë të tensionuar politike dhe zgjedhore.
Përveç kësaj, Netanyahu njoftoi se ka kontaktuar shefin e shërbimit të sigurisë Shin Bet, David Zini, të cilit i ka kërkuar të sigurojë mbrojtje adekuate për të gjithë kandidatët për postin e kryeministrit.

