Dalin detaje të reja nga vrasja në Nea Smyrni/ I dha 1 mijë euro para ngjarjes, gruaja e autorit: Kisha frikë nga ai, prej 18 muajsh zhdukej nga shtëpia

Publikuar me datë:

Gruaja e 48-vjeçarit që kreu vrasjen e 45-vjeçares në Nea Smyrni, përpara se të vetëvritej, ka zbuluar për hetuesit detaje të reja rreth sjelljes së tij muajt e fundit para tragjedisë.

Raportet nga mediat greke bëjnë të ditur se ajo ka dëshmuar në polici për një ndryshim të dukshëm të bashkëshortit gjatë 18 muajve të fundit. Sipas saj, ai mungonte rregullisht nga banesa dhe disa net i kalonte diku tjetër, pa dhënë asnjë shpjegim për vendndodhjen e tij.

Pak para se të largohej krejtësisht nga shtëpia, 48-vjeçari i dorëzoi gruas një shumë prej 1 mijë eurosh dhe më pas u nis në drejtim të Nea Smyrnit. Atje, ai priti 45-vjeçaren afër shtëpisë së saj.

Pamjet e kamerave të sigurisë, tashmë në zotërim të hetuesve, thuhet se kanë kapur momentin kur viktima hapi derën dhe doli jashtë. Në atë sekondë, 48-vjeçari e qëlloi me armë zjarri, më pas drejtoi armën ndaj vetes.

Gruaja e autorit deklaroi para policisë se ndihej e frikësuar prej tij. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse mes tij dhe viktimës ka pasur ndonjë lidhje dhe natyrën e marrëdhënies së tyre.

Viktima i kishte treguar motrës: “U ndava sepse ishte xheloz”

Edhe dëshmitë e të afërmve të 45-vjeçares po shqyrtohen nga autoritetet. Informacionet tregojnë se viktima i kishte rrëfyer motrës për një lidhje me një burrë, por marrëdhënia ishte ndërprerë për shkak të sjelljeve xheloze të tij.

Dyshohet se në bisedat me motrën, 45-vjeçarja kishte shprehur shqetësim, duke thënë se burri këmbëngulte vazhdimisht pas ndarjes dhe se ajo kishte frikë prej tij.

Natën kur ndodhi ngjarja, viktima ishte vetëm në shtëpi. Vajza e saj ndodhej larg Athinës, pasi kishte shkuar në Agrinio së bashku me xhaxhain.

Policia verifikon pajisjet teknologjike dhe të shkuarën e autorit

Grupi hetimor po kontrollon telefonat dhe pajisjet e tjera elektronike të 48-vjeçarit për të gjetur të dhëna që mund të hedhë dritë mbi komunikimet dhe raportin e tij me viktimën, si edhe mbi zhvillimet që çuan në ngjarje.

Dyshohet se arma e përdorur në krim mbahej pa leje.

Njëkohësisht, policia greke po kryen verifikime edhe për të kaluarën e 48-vjeçarit në Shqipëri. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, ai ishte ndaluar në Tiranë në vitin 2016 nën akuzën e përdhunimit të bashkëshortes. Për më tepër, ndaj tij ekzistonte edhe një çështje tjetër gjyqësore për përndjekje.

Hetimet do të vazhdojnë derisa të sqarohet motivi i saktë i krimit dhe historia e plotë e marrëdhënies mes autorit dhe viktimës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related