Një ngjarje e rëndë është shënuar në zonën e Dukagjinit, në Shkodër, ku paraprakisht raportohet se dy persona, babë e bir, kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Informacioni për ngjarjen ka mbërritur në Policinë e Shkodrës përmes një telefonate, ndërsa grupet e emergjencës po punojnë për të verifikuar rrethanat dhe për të mbledhur të dhëna më të plota.
Ndërhyrja në zonë paraqet vështirësi për shkak të terrenit të thepisur, distancës së konsiderueshme nga qyteti i Shkodrës, që kërkon disa orë udhëtim, si dhe mungesës së mbulimit telefonik në disa pjesë të Dukagjinit.
Pritet që Policia e Shkodrës të japë në vijim informacion zyrtar mbi rrethanat e ngjarjes, identitetin e viktimave dhe gjendjen e personit të plagosur.

