Sipas informacionit paraprak, efektivët e Policisë ndodheshin në një zonë të thellë malore, ku po kryenin monitorime në lidhje me një parcelë të dyshuar për kultivim të kanabisit.
Gjatë kontrolleve, dyshohet se forcat e rendit janë pikasur nga persona që mund të kenë lidhje me aktivitetin e paligjshëm.
Pak më vonë, në zonë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, duke bërë që efektivët në terren të kërkojnë menjëherë mbështetje dhe përforcime.
Në drejtim të zonës malore janë nisur forca të tjera policore, ndërsa për situatën është angazhuar edhe një grup i FNSH-së nga Shkodra.
Deri në këto momente nuk raportohet zyrtarisht për persona të plagosur apo të arrestuar si pasojë e të shtënave.
Forcat e Policisë vijojnë kontrollet në terren, ndërsa zona po monitorohet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.
Ngjarja merr rëndësi edhe për faktin se vetëm tre ditë më parë, në të njëjtën zonë, Policia arrestoi një shtetas, i dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

