Reshje të mëdha kanë shkaktuar përmbytje të gjera në verilindje të Spanjës, duke lënë të plagosur të paktën shtatë persona dhe duke detyruar autoritetet të zhvendosin rreth 300 banorë nga zonat e prekura.
Incidenti më i rëndë u regjistrua në portin e Roda de Berà, rreth 75 kilometra në jugperëndim të Barcelonës, ku shembja e një muri la të plagosur tre persona. Njëri prej të dëmtuarve ndodhet në gjendje kritike, ndërsa një tjetër po merr mjekim për lëndime të rënda.
Katër individë të tjerë u shtruan në spital pas episodeve të tjera që lidhen me kushtet ekstreme të motit. Dy nga këta persona pësuan dëmtime të lehta pas rrëzimit të një muri në një kamping në Roda de Berà.
Përshkak të përkeqësimit të situatës, autoritetet urdhëruan evakuimin e rreth 300 qytetarëve nga një kamping, ndërkohë që pothuajse 100 prej tyre janë sistemuar në një qendër sportive të bashkisë.
Reshjet e dendura kanë prekur sidomos zonat El Vendrell, Roda de Berà, Creixell dhe Torredembarra, ku në disa vende janë regjistruar mbi 200 litra shi për metër katror brenda pak orësh.

