Vatikani ka njoftuar ndërtimin e një termocentrali të energjisë së rinovueshme me një investim prej rreth 100 milionë eurosh, i cili synon të furnizojë Selinë e Shenjtë me energji brenda dy viteve, përmes një sistemi që bashkon energjinë diellore me bujqësinë.
Sipas burimeve që kanë folur për Reuters, pritet që ferma agrovoltaike të ketë një kapacitet prej 80 deri në 90 megavat, çka do ta bëjë atë ndër instalimet më të mëdha të këtij lloji në Itali.
Panelet diellore në këtë lloj termocentrali vendosen disa metra mbi sipërfaqen e tokës, duke mundësuar kultivimin e bimëve poshtë tyre. Hija e krijuar ndihmon në uljen e avullimit të ujit dhe ofron mbrojtje për kulturat bujqësore nga kushtet ekstreme të motit.
Një komision i përbashkët mes Italisë dhe Vatikanit është mbledhur në fillim të këtij muaji për të shqyrtuar projektin, që do të zhvillohet në pronën Santa Maria di Galeria, një zonë pranë perifërisë veriperëndimore të Romës që është në pronësi të Vatikanit. Sipas burimeve të Reuters, ndërtimi i termocentralit mund të përfundojë për 18 deri në 24 muaj.
Qyteti i Vatikanit, selia e Kishës Katolike botërore dhe vendndodhja e Bazilikës së Shën Pjetrit, është shteti më i vogël në botë me një sipërfaqe prej 108 hektarësh dhe më pak se 900 banorë.
Ky projekt është planifikuar të sigurojë energji edhe për stacionin e transmetimit të Radio Vatikanit, ndërsa energjia mund të përdoret po ashtu nga rezidenca të tjera të lidhura me Selinë e Shenjtë, përfshirë spitalin Bambino Gesù në Romë. Nëse prodhohet më shumë energji se sa nevojitet, sasia e mbetur do t’i kalojë sistemit energjetik të Italisë.
Ky projekt ishte një ndër objektivat kryesore të të ndjerit Papa Françesku, i pari papë që njohu konsensusin shkencor mbi ndryshimet klimatike, dhe tashmë ka marrë aprovimin e Papa Leoni XIV.

