Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu gjatë natës magazinat në ambientet e ish-NPA-së në Gjirokastër shkaktoi dëme vetëm në magazinën e përfshirë nga flakët, ndërsa ndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur shmangien e një tragjedie të mundshme.
Falë ndërhyrjes efektive, u arrit të mbroheshin dy pallate banimi që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit. Kështu, flakët nuk përfshinë banesat përreth dhe nuk shkaktuan dëme as në automjetet e parkuara pranë objektit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo për dëme në banesat dhe automjetet përreth. Ndërkohë, gjatë orëve të natës, për shkak të përmasave të zjarrit, u ndërpre energjia elektrike në gjysmën e qytetit të Gjirokastrës.

