Sipas dosjes, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, zbardhet dinamika e plotë e konfliktit që përfundoi me vrasjen e të riut, ku autor i dyshuar është Sokrat Vata.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15 të 18 gushtit, kur mes grupit të turistëve dhe disa personave të tjerë nisi një konflikt fizik. Pamjet e kamerave tregojnë se përleshja u përshkallëzua me goditje me grushte dhe ndjekje mes personave të përfshirë, duke vijuar edhe në zonën e plazhit.
Gjatë përleshjes, 20-vjeçari Mendes u godit fillimisht me grushte nga disa persona. Më pas, Sokrat Lipan alias Sokrat Vata u afrua pranë të riut dhe e goditi disa herë me thikë në trup. Edhe David Heurtevent dyshohet se e ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit.
Në orën 05:14:24 të datës 18.08.2026, nga ambientet e lokalit “Principotes” dalin disa shtetas, të cilët qëndrojnë në rërën e ambienteve të jashtme të subjektit “Paradise”. Mes tyre identifikohen Ibrahim Lemoie, Sudae Akmahmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes, i veshur me një bluzë të bardhë me shkrim të zi në pjesën e pasme.
Në orën 05:15:22, nga ana e parkimit në pjesën jugore të “Principotes”, afrohen dy shtetas, konkretisht Davit Heurtevent dhe Sokrat Lipan (Vata), i veshur me një këmishë të bardhë, në drejtim të vendit ku ndodheshin shtetasit e huaj.
Në orën 05:16:39, Sokrat Lipan (Vata) vërehet duke u shtyrë me një person të veshur me bluzë të bardhë. Më pas ai largohet prej tij dhe shkon në drejtim të shezlloneve.
Në orën 05:16:47, Sokrat Lipan ndjek një nga personat e veshur me të bardha dhe e ndjek nga pas në drejtim të parkimit.
Në orën 05:16:54, Sokrat Lipan (Vata) vërehet se vjen me vrap në drejtim të Ibrahim Lemoie, i cili përplaset me shezllonet dhe bie në tokë. Sokrati e godet në drejtim të tij.
Në orën 05:17:14, në këto momente afrohet Luis Mendes dhe shtyn me trup Sokrat Lipanin, i cili bie në tokë. Sokrati ngrihet, i afrohet Mendesit dhe nis ta godasë.
Në orën 05:17:20, Davit Heurtevent, i veshur me tuta të shkurtra dhe një këmishë me ngjyrë të errët, së bashku me Sokrat Lipan (Vata), godasin Luis Mendes. Në këtë moment afrohet Sudae Akhmat për të ndihmuar shokun e tij, Luis Mendes, dhe godet Sokrat Lipanin.
Në orën 05:17:35-05:17:46, Serxhi Selimi godet me grushte shtetasin francez Ibrahim Lemoie. Ndërkohë, Luis Mendes, për t’u larguar nga goditjet që po merrte nga Sokrat Lipan dhe David Heurtevent, largohet me nxitim dhe futet brenda në det.
Në orën 05:17:53, Luis Mendes afrohet nga ana jugore e plazhit, në vendin ku ndodhen kamarieret, dhe goditet me grushte nga Serxhi Ademi, ndërsa më pas shtyhet në det.
Në orën 05:18:04, Luis Mendes del nga uji dhe ecën në drejtim të shezlloneve të plazhit “Paradise”. Në pamje vërehet se bluza e bardhë e tij është e gjakosur.
Në orën 05:18:24, Davit Heurtevent largohet në drejtim të ambienteve të brendshme të “Principotes”. Ai dallohet i gjakosur në pjesën e përparme të rrobave.
Në orën 05:20:28, largohet edhe Sokrat Lipan, i cili e ka bluzën e bardhë të gjakosur. Pas tij ndodhet kamarieri Ildi Cekani, i cili e shoqëron në drejtim të lokalit “Principotes”.

