Përveç flakëve dhe terrenit të vështirë, forcat që po luftojnë me zjarret në Pukë dhe Mirditë po përballen edhe me një tjetër rrezik të fshehur: municionet e mbetura prej vitesh.
Në Gojan të Madh të Pukës, ku në të kaluarën kanë ekzistuar depo ushtarake, zjarri ka përfshirë edhe zona ku ndodhen fishekë të vjetër. Shpërthimet e tyre janë dëgjuar gjatë ndërhyrjes dhe kanë vështirësuar punën e forcave që veprojnë nga toka.
Ndërkohë, në Mirditë është konstatuar edhe një tjetër rast shqetësues. Në një sipërfaqe bujqësore është gjetur një granatë, duke shtuar rrezikun për banorët dhe ekipet e angazhuara në terren.
Temperaturat e larta dhe përhapja e flakëve mund të aktivizojnë municionet e braktisura, duke krijuar shpërthime të paparashikueshme në zonat ku po ndërhyhet për shuarjen e zjarreve.
Kjo situatë e bën edhe më të rrezikshme ndërhyrjen në terrenet e prekura, ku efektivët duhet të përballen njëkohësisht me flakët, terrenin e vështirë dhe rrezikun nga municionet e mbetura.

