Një hetim i nisur pas një referimi të Policisë së Tiranës për dyshime mbi blerje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 është mbyllur nga SPAK, pasi nuk janë siguruar prova që të mbështesin dyshimet fillestare.
Në qendër të hetimit ishin dy kandidatë për deputetë të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit. Policia kishte referuar dyshime se njëri prej tyre, i cili kishte ngritur një zyrë elektorale në zonën e Paskuqanit, premtonte pagesa prej 200 deri në 300 euro për votë, si dhe vende pune në varësi të mbështetjes elektorale.
Sipas të dhënave të përfshira në vendimin gjyqësor, dyshohej gjithashtu se kandidati vepronte në bashkëpunim me një mbështetës të PSD-së me ndikim në Bathore dhe Manzë, si dhe me një kandidat tjetër të së njëjtës forcë politike.
SPAK regjistroi procedim për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe kreu veprime hetimore, përfshirë përgjime telefonike e ambientale dhe vëzhgime ndaj personit të dyshuar si ndërmjetës në sigurimin e votave.
Nga vëzhgimi rezultoi se personi ishte aktiv në takime me qytetarë dhe në aktivitetet elektorale të PSD-së, por hetuesit nuk arritën të siguronin prova që të konfirmonin pretendimet për blerje votash.
Sipas SPAK, informacionet e referuara fillimisht nga policia nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar përgjimin e kandidatëve për deputetë apo personave të tjerë të dyshuar.
Në përfundim të hetimeve, SPAK kërkoi pushimin e çështjes, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata e Posaçme. Në këtë mënyrë, hetimi për dyshimet mbi blerjen e votave me shuma deri në 300 euro u mbyll pa një provë konkrete për përfshirjen e kandidatëve apo të personave të tjerë në krime zgjedhore.

