Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka reaguar për situatën e zjarreve, duke kundërshtuar pretendimet se flakët në zona të ndryshme të vendit lidhen me “Paketën e Maleve”.
Duke iu referuar veçanërisht zjarrit në Gojan të Pukës, Ndreu tha se situata duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë kujdes dhe angazhim në parandalimin e vatrave të zjarrit.
Ai deklaroi se e ka ndjekur nga afër situatën në Gojan, në komunikim me banorët, drejtuesit e operacionit në terren dhe ministrin e Mbrojtjes, duke theksuar se fatmirësisht nuk janë shënuar viktima në njerëz.
Sipas Ndreut, zjarri është shkaktuar nga një veprim i qëllimshëm, ndërsa kushtet e vështira atmosferike dhe terreni kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
“Dikush ose disa ndezën zjarrin”, shprehet ai, duke shtuar se erërat e forta dhe thatësira e kanë bërë shumë më të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve, banorëve dhe ekipeve ajrore.
Ndreu ka kritikuar gjithashtu ata që, sipas tij, po e përdorin situatën për akuza politike ndaj qeverisë, pa dhënë kontribut konkret në ndihmë të banorëve apo forcave që po përballen me flakët.
Ai i cilësoi si “absurde” lidhjet që bëhen mes zjarreve dhe “Paketës së Maleve”, duke argumentuar se në këtë situatë nevojiten solidaritet dhe veprim konkret, jo përplasje politike.
“Para se të jepni receta, të ngrini akuza dhe të caktoni përgjegjës nga larg, vini të paktën një dorë në mbështetje të banorëve dhe të njerëzve që po luftojnë me flakët”, apeloi Ndreu, duke e mbyllur reagimin me thirrjen për “solidaritet, përgjegjësi dhe veprim konkret”.

