Banorët e Qarkut të Dibrës vazhdojnë të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut për të blerë karburant dhe produkte ushqimore të shportës.
Rritja e çmimit të naftës në Shqipëri, e cila aktualisht shitet me 219 lekë për litër, i ka shtyrë qytetarët të përfitojnë nga afërsia me Dibrën e Madhe, duke kaluar kufirin për të furnizuar automjetet e tyre.
Si pasojë, në Doganën e Bllatës janë formuar radhë të gjata; drejtuesit e automjeteve janë detyruar të presin për disa orë për të kaluar kufirin.
Sipas drejtuesve të mjeteve, në Maqedoninë e Veriut çmimi i një litri naftë shkon në 160 lekë, çka përbën një diferencë prej 60 lekësh për litër krahasuar me tregun shqiptar.
Edhe pse rreth dy muaj më parë u nënshkrua marrëveshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për zbatimin e sistemit “One stop”, ajo ende nuk është miratuar nga parlamentet e të dy vendeve dhe nuk ka hyrë në fuqi.

