Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë aktivitetit folklorik maqedonas, ku u ekzekutua himni i Maqedonisë së Veriut, kurse ai shqiptar u anashkalua.
Kolefski shprehet për mediat se kishte kërkuar paraprakisht nga organizatorët që në ceremoninë zyrtare të përfshihej edhe himni shqiptar, sepse një gjë e tillë parashikohet nga protokolli shtetëror.
Kryebashkiaku tha se i kishte kërkuar organizatorit, kryetarit të shoqatës së VMRO-së në Shqipëri, programin zyrtar të aktivitetit dhe, pasi kishte mësuar se ceremonia do të hapej me himnin maqedonas, kishte kërkuar që të ekzekutohej edhe himni shqiptar.
Kolefski kërkoi ndjesë për situatën, edhe pse nënvizoi se Bashkia e Pustecit nuk ishte organizatore e aktivitetit, por vetëm e ftuar në të.
Kryebashkiaku bëri të ditur gjithashtu se edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk e kishte pritur mirë situatën.

