Fermerët në Kukës po përjetojnë një vit të pasur me prodhim kumbullash dhe thanash. Ndër ta është Halim Elezi, i cili ka themeluar pemtoren e tij rreth 15 vite më parë. Sipas tij, kjo veprimtari i ka dhënë mundësinë që të sigurojë të ardhurat për familjen.
Megjithatë, Elezi thekson se përballen me sfida të konsiderueshme, ndër të cilat përfshihet pajisja me tituj pronësie dhe vështirësitë për të gjetur tregje ku mund të shesin prodhimin.
Përveç kumbullave, Halimi kultivon edhe thana në pemtoren e tij. Në vitet e fundit, falë vlerave të tyre kurative dhe përdorimit në mjekësi, thana është shndërruar në një nga frutat më të kërkuara në treg.
Aktualisht, Halim Elezi ka mbjellë afro 300 rrënjë pemësh frutore, përfshirë kumbulla, thana dhe arra, të cilat pritet të sjellin një prodhim të madh këtë sezon.

