Një pajisje mjekësore e teknologjisë së avancuar, e mbështetur nga inteligjenca artificiale për diagnostikimin e problemeve kardiake, i është dhuruar shërbimit shëndetësor në Koplik nga Fondacioni shqiptaro-amerikan “Trashëgimia e Prek Calit”, me qendër në Michigan.
Pajisja, ndonëse e përmasave të vogla, pritet të ndihmojë stafin mjekësor në identifikimin e hershëm të problematikave të zemrës dhe në përmirësimin e shërbimit ndaj pacientëve.
Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë drejtues të fondacionit, përfaqësues të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, drejtues të institucioneve shëndetësore në Malësi të Madhe, personel mjekësor dhe përfaqësues të fondacionit në Shqipëri.
Kreu i fondacionit, Dr. Anton Lajçaj, e cilësoi këtë donacion si një hap të parë, duke shprehur gatishmërinë për të vijuar mbështetjen me pajisje dhe ndihma të tjera për shërbimet shëndetësore.
Ceremonia zyrtare u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Koplik.

