Teksa temperaturat vijojnë të jenë të larta, mungesa e ujit të pijshëm po kthehet në një problem serioz për banorët e Malësisë së Madhe. Prej kohësh, në disa zona furnizimi me ujë është i pamjaftueshëm, duke detyruar banorët të blejnë ujë për nevojat e përditshme.
Banorët shprehen të revoltuar për situatën dhe kërkojnë të dinë se çfarë ka ndodhur me investimin e kryer në rrjetin e ujësjellësit. Sipas tyre, janë investuar miliona lekë, por pavarësisht kësaj, uji i pijshëm vijon të mungojë.
Ata nënvizojnë se i paguajnë rregullisht faturat e ujit, ndërsa shërbimi për të cilin paguajnë nuk u ofrohet në mënyrë të qëndrueshme.

