Deputetja, Emilia Koliqi, ka reaguar për zgjerimin e sipërfaqeve të përfshira në kuadër të “Paketës së Maleve” në Shkodër.
Koliqi ngre shqetësimin se pas rreth 4,400 hektarëve të miratuar në nëntor 2025, tashmë janë shtuar edhe 23,388 hektarë të tjerë pyje dhe kullota, duke përfshirë zona të Shalës, Shoshit, Pultit dhe Postribës.
Sipas saj, bëhet fjalë për territore me rëndësi të veçantë natyrore dhe turistike, përfshirë Luginën e Shalës, Luginën e Kirit, zonat përreth Kalasë së Drishtit dhe hapësira të Alpeve.
Koliqi pretendon gjithashtu se, përmes tre vendimeve të Këshillit Bashkiak Shkodër, janë miratuar deri tani sipërfaqe të mëdha pyjesh, livadhesh dhe kullotash për 12 individë, të cilët i cilëson si “posedues jopronarë”.
Deputetja paralajmëron për pasoja sociale dhe mjedisore, duke argumentuar se dhënia e sipërfaqeve të konsiderueshme të pyjeve dhe kullotave individëve të veçantë mund të sjellë konflikte dhe të cenojë të drejtat tradicionale të banorëve të zonave.
“Eshtë kjo natyrë, që tërheq turistët dhe jo betonizimi”, shkruan Koliqi, duke e cilësuar zbatimin e Paketës së Maleve si një proces që po dëmton pasuritë natyrore të Shkodrës.



