Një tragjedi e rëndë familjare ka goditur qytetin e Izmirit, ku një grua 56-vjeçare dhe nipi i saj 4-vjeçar humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu shtëpinë e tyre.
Incidenti ndodhi të hënën pasdite në lagjen Cisigli. Sipas informacioneve të para, Rezan Korkmaz, fillimisht arriti të shpëtonte një nga nipërit, 2-vjeçarin Mert, duke e nxjerrë jashtë banesës së përfshirë nga flakët. Megjithatë, ajo u rikthye brenda për të ndihmuar nipin tjetër, 4-vjeçarin Yigit.
Zjarrfikësit i gjetën të dy pa shenja jete. Trupi i gjyshes u zbulua mbi trupin e fëmijës, duke lënë të kuptohet se kishte tentuar ta mbronte atë nga zjarri duke e mbuluar me trupin e saj.
Ndërkohë, Bayram Korkmaz, gjyshi 59-vjeçar, shpëtoi duke kërcyer nga dritarja e banesës. Ai pësoi djegie në duar dhe shpinë, por pas ndihmës mjekësore në spital u kthye në shtëpi. 4-vjeçari Yigit do të festonte ditëlindjen më 23 gusht. Pasi përfunduan autopsitë, trupat e gjyshes dhe nipit iu dorëzuan familjes. Ndërkohë, autoritetet kanë hapur hetimet për të zbuluar shkakun e zjarrit.

