Ideja se gazetarët sportivë kanë një profesion më të lehtë se homologët e tyre që mbulojnë tema të tjera bie poshtë përballë rasteve si ai i gazetarit turk Burhan Can Terzi. Ai u arrestua dhe kaloi disa orë në komisariat, pas publikimit të një lajmi të merkatos së verës—një periudhë kur spekulimet në lidhje me transferimet janë të shpeshta dhe jo gjithmonë të bazuara.
Terzi u vu në pranga nën akuzën për përhapje të informacioneve çorientuese, të cilat kishin të bënin me një marrëveshje të supozuar ndërmjet Galatasaray dhe yllit të Bayern Munich dhe Gjermanisë, Jamal Musiala.
Sipas mediave turke, gazetarët ka dhënë deklaratë në komisariatin e Stambollit. Pas kësaj ai u dërgua përpara gjykatës, e cila vendosi lirimin e tij.
Ndërkohë, Galatasaray ka mohuar publikisht, madje dy herë, pretendimet e Terzi, ndërsa ai ka vijuar të insistojë mbi saktësinë e raportimit të tij.
Klubi akuzoi gazetarin për përpjekje për të çorientuar opinionin publik dhe shtrembërim të qasjes së tyre ndaj transferimeve.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit Kryesor të Bakirkoy ka hapur një hetim duke e trajtuar ngjarjen si vepër penale të publikimit të informacionit mashtrues. Rasti ka shkaktuar reagime dhe shqetësim të konsiderueshëm si në qarqet e futbollit, ashtu edhe në median turke.

