Shtatë vite pritje dhe mbi 30 aplikime nuk kishin mjaftuar që një 72-vjeçare në Shkodër të zgjidhte çështjen e pronësisë së banesës së saj. Zgjidhja erdhi pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit pranë institucioneve të Kadastrës.
E moshuara, e cila jetonte e vetme, prej vitesh ishte përballur me vonesa dhe procedura administrative, megjithëse kishte paraqitur dokumentacionin e nevojshëm dhe kishte aplikuar dhjetëra herë për të marrë aktin e pronësisë.
Pasi përpjekjet e saj pranë Kadastrës nuk dhanë rezultat, 72-vjeçarja iu drejtua zyrës rajonale të Avokatit të Popullit në Shkodër.
Gjatë muajit qershor, përfaqësuesja e këtij institucioni kërkoi informacion dhe ndërhyrje nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për situatën e krijuar. Pak javë më vonë, çështja mori zgjidhje dhe zonja Bajre u pajis me Aktin Provizor të Pronësisë.
Kështu, pas shtatë vitesh pritje, ajo mundi të sigurojë dokumentin për banesën e saj.
Pas marrjes së aktit, 72-vjeçarja falënderoi Avokatin e Popullit për ndërhyrjen, të cilën e konsideroi vendimtare në zgjidhjen e një problemi që kishte mbetur pezull për vite me radhë.
Avokati i Popullit bëri të ditur se do të vijojë ndërhyrjet në rastet kur qytetarët përballen me problematika administrative dhe kur dyshohet se të drejtat apo interesat e tyre të ligjshme nuk respektohen nga administrata publike.
Burimi Portali Veriu Sot

