Lorenc Jemini është rikthyer në Shkodër, por këtë herë roli i tij ka qenë krejt ndryshe. Ish-arbitri i njohur, i komentuar ndër vite me simpati nga tifozët shkodranë, ka ngritur trofeun e turneut të parë “Velipoja Beach Tennis 2026”.
Gara u zhvillua më 5 dhe 6 gusht në plazhin e Velipojës, me organizimin e Adriatic Tennis Park dhe në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, duke i dhënë sezonit turistik edhe një aktivitet sportiv.
Jemini garoi në dyshe me Saimir Ahmetajn dhe arriti të triumfojë në finalen e turneut, ku përballë kishte çiftin Klindi Luli dhe Drino Galiqi.
Në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve ishin të pranishëm Kryetari i Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, si dhe Drejtori i Sportit në Bashkinë Shkodër, Auron Miloti.
Pas viteve me bilbil në fushat e futbollit, Jemini këtë herë zgjodhi raketën dhe Velipojën për të festuar një tjetër sukses sportiv.

