Pentagoni ka bërë publike një seri të re dosjesh të deklasifikuara për UFO-t, duke përfshirë edhe pamje të objekteve të panjohura në qiell.
Videot e publikuara shfaqin një sferë të mistershme duke lëvizur mbi një zonë të banuar në Lindjen e Mesme, si dhe një sferë të zezë që rri pezull mbi Oqeanin Paqësor, e cila për disa çaste zhduket nga pamja për t’u shfaqur sërish.
Kjo paketë e fundit përmban gjithsej 41 materiale: më shumë se një duzinë videosh, tri fotografi dhe një koleksion dokumentesh PDF. Mes tyre, dokumenti më i vjetër daton në vitin 1953, ndërsa më i riu i takon këtij viti.
Më 8 maj, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ngarkoi pjesën e parë me 161 dosje në faqen zyrtare të internetit, duke premtuar publikime shtesë në të ardhmen.
Pasi Presidenti Trump kërkoi publikimin e dokumenteve përmes një urdhri ekzekutiv në fillim të këtij viti, Pentagoni ka deklasifikuar qindra dosje përmes pesë raundeve publikimesh.
Një nga videot, e realizuar mbi Gjirin e Omanit në vitin 2021, tregon një “sferë të ftohtë” të errët që lëviz në mënyrë të parregullt. Objekti, që në pamje të parë mund të ngjajë me një mizë e cila lëviz me shpejtësi në ekran, përshkruhet si një Fenomen Anomal i Paidentifikuar (UAP) me një diametër prej rreth 1.2 metrash.
Termi zyrtar i përdorur nga autoritetet dhe shkencëtarët amerikanë për këto raste është Fenomene Anomale të Paidentifikuara. Ndryshe nga UFO-t, UAP-të mund të vërehen edhe në sipërfaqe toke apo nën ujë, përveç se në ajër.
Një tjetër video, e regjistruar nga një kamerë ushtarake amerikane me sensorë në një vend të pazbuluar në Lindjen e Mesme më 2025, paraqet një sferë të rrumbullakët që lëviz drejt një zone urbane të banuar, ndjekur një trajektore të drejtë.
Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga FBI, një ish-pilot ushtarak ka raportuar se ka vëzhguar drita në qiell gjatë një fluturimi nga Bostoni drejt Dublinit në tetor 2023. Sipas tij, edhe shumë pilotë të tjerë kanë qenë dëshmitarë të fenomeneve të ngjashme mes mesnatës dhe orës tre të mëngjesit.
Pamje të tjera nga viti 2019, të regjistruara mbi Oqeanin Paqësor, tregojnë një sferë të zezë që fillimisht zhduket nga pamja dhe pastaj rishfaqet duke u dridhur, teksa lëviz gradualisht nga e majta në të djathtë të ekranit.
Vitet e fundit, në Shtetet e Bashkuara është shtuar interesi publik për mundësinë e jetës jashtëtokësore, me Kongresin që në vitin 2022 zhvilloi për herë të parë pas pesë dekadash seanca dëgjimore për UFO-t. Ndërkohë, ushtria ka premtuar rritjen e transparencës në këtë fushë.
Duke kumtuar publikimin e kësaj të pestës serie të dosjeve, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, njoftoi se departamenti do të vazhdojë të publikojë dokumente të reja “në mënyrë të vazhdueshme”.

