Pa ujë për vaditje, fermerët e Kukësit detyrohen të presin misrin e tharë: 820 hektarë tokë mbeten të papunuar

Publikuar me datë:

Në vend që të ishte në arë për të vaditur misrin, Isak Gashi nga Nangë e Kukësit ka marrë draprin për të prerë prodhimin që mbolli në pranverë.

Në mes të sezonit, mungesa e ujit vaditës e ka detyruar fermerin të ndërpresë prodhimin dhe të përpiqet të shpëtojë çfarë mundet nga parcela. Pas misrit të tharë janë shpenzimet për farën, mbjelljen, punimin e tokës dhe puna e muajve të fundit.

Por pa ujë, prodhimi është tharë në arë.

Dëmi për Isak Gashin është i madh, por rasti i tij nuk është i izoluar. Dhjetëra fermerë në zonën e Nangëve po përballen me të njëjtën situatë, ndërsa shumë banorë kanë zgjedhur të mos i mbjellin fare tokat, për shkak të mungesës së garancisë se do të kenë ujë për vaditje.

Fusha e Shtiqnit dhe e Nangëve shtrihet në rreth 820 hektarë tokë bujqësore, një prej sipërfaqeve më të mëdha bujqësore në Qarkun e Kukësit. Megjithatë, sot në punë është më pak se një e dhjeta e kësaj sipërfaqeje.

Historikisht, tokat e kësaj zone janë vaditur përmes kanalit të Rexhepajve, i cili furnizohet nga lumi Luma. Problemet me funksionimin dhe mirëmenaxhimin e kanalit kanë sjellë ndërprerje të furnizimit me ujë, duke lënë fermerët pa mundësi për të vaditur tokat.

Vetë Isak Gashi thotë se për zgjidhjen e problemit u është drejtuar institucioneve, përfshirë Drejtorinë e Ujërave dhe Bashkinë Kukës, por deri tani nuk ka marrë një zgjidhje.

Sot, në vend të ujit që duhet të furnizonte këtë zonë bujqësore, në arë dëgjohet drapri. Isak Gashi përpiqet të shpëtojë atë pak misër që ka mbetur, ndërsa qindra hektarë tokë mbeten të papunuar.

Mungesa e ujit vaditës nuk po i dëmton vetëm prodhimet e këtij sezoni. Fermerët paralajmërojnë se, pa një zgjidhje të qëndrueshme për vaditjen, nuk mund të vijojnë të mbjellin tokat e tyre.

Nga një prej zonave më të rëndësishme bujqësore të Kukësit, toka mbetet djerrë, ndërsa fermerët humbasin investimet dhe prodhimin për shkak të mungesës së ujit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Kurti flet për zjarrin në hotelin e Vlorës: “Jemi të tronditur!”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar...

Koçeku: “77 ditë protestë mbollën vetëdijen, se e përbashkëta na përket të gjithëve. Politika e vjetër përqesh dhe refuzon të dëgjojë të renë

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me protestat e mëdha antiqeveritare që po zhvillohen prej 77 ditësh në Shqipëri. Sipas Koçekut, këto protesta kanë sjellë një vetëdije të re mes qytetarëve, duke bërë që “publikja dhe e përbashkëta” të ndihen si pronë e përbashkët. Pasi u largua disa muaj […]

Qytetari mbetet i bllokuar në pus 20 metra të thellë në Koplik, shpëtohet nga zjarrfikësit

Një incident është regjistruar në Koplik, ku një qytetar...

AXHENDA/ Dueli në Ligën e Konferencës, Dinamo kërkon shtyrjen e ndeshjes ndaj Vorës

Dinamo arriti të fitonte ndaj Audas në “Elbasan Arena”,...