Përmbytjet e rënda si pasojë e reshjeve musonike në Indinë verilindore kanë marrë jetën e afro 100 personave, sipas autoriteteve, në një nga valët më të rënda të reshjeve të viteve të fundit.
Në shtetin e Assamit janë regjistruar të paktën 97 viktima, ndërsa përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut kanë prekur rreth 170,000 individë, duke detyruar mijëra familje të shpërngulen dhe të strehohen në kampe të përkohshme ndihme.
Mbi 140,000 hektarë tokë bujqësore kanë mbetur nën ujë, një sipërfaqe që i afrohet një herë e gjysmë madhësisë së Parisit. Ministri i Shëndetësisë i Indisë, J. P. Nadda, gjatë vizitës së tij të dielën në zonat e goditura, deklaroi se niveli i dëmit është aq i madh sa “e tillë që do të duhet kohë” për të rikthyer jetën në normalitet.
“Fshatrat u përmbytën njëri pas tjetrit”, u tha ai gazetarëve.
Në Assam, sikurse edhe në rajonet e tjera të Indisë, përmbytjet janë të shpeshta gjatë stinës së musonit nga qershori në shtator, veçanërisht kur lumi Brahmaputra dhe degët e tij dalin nga shtrati.

