Të reja kanë dalë në lidhje me vrasjen e Elizabeth, 38 vjeç, me origjinë nga Skocia, trupi i së cilës u zbulua brenda një valixheje në lagjen Kypseli të Athinës, rreth mesit të korrikut. Mediat britanike raportojnë se Sharif Ahmadzai, një 26-vjeçar nga Afganistani, është vendosur në paraburgim dhe dëshmia e bashkëshortes së tij amerikane, Alaina, shikohet si thelbësore për hetimin që po zhvillon Policia Greke.
Sipas asaj që deklaroi Alaina, ajo dhe burri i saj kishin njohur Elizabeth gjatë angazhimit të tyre si vullnetarë në një organizatë humanitare për refugjatët në Athinë, në muajin shkurt të vitit 2026. Ajo e portretizoi Elizabeth si “një person shumë të sjellshëm, zemërmirë dhe me shpirt të mirë”. Alaina tha se kontakti i fundit i saj me Elizabeth ishte më 12 korrik, pak ditë përpara se autoritetet të besojnë se ndodhi vrasja.
Alaina tregoi se atë ditë, Elizabeth i kishte ftuar për një shëtitje, ndërsa Ahmadzai iu bashkua më vonë. Pas shëtitjes, ajo u largua për në shtëpi, duke lënë Elizabeth dhe Ahmadzain bashkë. Pas këtij takimi, dyshja vazhdoi të mbante kontakte. Elizabeth kishte kërkuar ndihmën e 26-vjeçarit për të shpërndarë Bibla. Më 15 korrik, Alaina vuri re një mesazh që Elizabeth i kishte dërguar bashkëshortit të saj: “Faleminderit për gatishmërinë tënde për të ardhur me mua.”
Në të njëjtën natë, Alaina u zgjua dhe vuri re që burri i saj kishte dalë nga banesa, pa e informuar më parë. “Kontrollova vendndodhjen e tij në telefon dhe pashë se ndodhej në apartamentin në rrugën Rethymno. U habita, sepse nuk kishte asnjë arsye që ai të ishte atje në atë orë”, deklaroi ajo. Kur e kontaktoi në telefon, Ahmadzai pretendoi se kishte dalë për të parë një ndeshje futbolli në një lokal dhe kishte hyrë në apartament vetëm për të shfrytëzuar banjën.
Hetuesit konfirmojnë se i dyshuari ka pranuar që ka qenë në banesën e Elizabeth më 15 korrik.
Dyshimet e bashkëshortes
Fillimisht, Alaina pranoi sqarimin e Ahmadzait, ndërkohë që ai vazhdoi të sillte normalisht dhe madje i dhuroi një telefon të ri. Por situata ndryshoi kur në media u publikua lajmi se një trup i pajetë gruaje ishte gjetur brenda një valixheje në Kypseli. Më 29 korrik, Alaina kontaktoi Elizabeth me mesazh, por përgjigjet që mori i dukeshin të pazakonshme.
“Këto mesazhe nuk ishin në stilin e saj, as për mënyrën e të shkruarit në anglisht dhe as për përdorimin e emoji-ve, të cilat ajo nuk i përdorte kurrë”, deklaroi ajo. Pasi tentoi më kot të lidhej me telefon, nisi të dyshonte se viktima mund të ishte Elizabeth. “Të gjitha këto, takimet, mesazhet dhe sjellja e burrit tim, më bënë të ndihesha shumë në siklet dhe të dyshoja”, tha ajo në dëshminë e vet. Kur autoritetet e konfirmuan zyrtarisht identitetin e viktimës si Elizabeth, Alaina rrëfeu se ndjeu frikë të madhe, duke e detyruar të largohej nga shtëpia për të kaluar natën në vende të ndryshme.
Në këtë kohë, hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit vijojnë, ndërsa Sharif Ahmadzai përballet me akuzat për këtë rast që ka shkaktuar reagime të forta në Greqi.

