Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me djegien e teserave të Partisë Socialiste.
Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Boçi e ironizon Ramën, duke e cilësuar “Turpi-Kryeministër” dhe duke argumentuar se kryeministri nuk ka moralin për t’u dhënë leksione qytetarëve apo kundërshtarëve politikë për “turpin”.
Boçi e quan djegien e teserave të PS-së një simbol të zhgënjimit të militantëve dhe mbështetësve të kësaj force politike.
Postimi i plotë:
DOLI TURPI E PA PIKË TURPI FOLI PËR TURP
Qytetarë, sidomos ju të majtë, mbani vesh!
Ka folur Turpi!
Jo turpi i zakonshëm, ai që skuqet, që ndalet, që tërhiqet.
Ka folur Turpi-Kryeministër që s’ka turp.
Ai që ka bërë karrierë hipur mbi shpinën e njerëzve.
Ai që ka zyrë me kopsht Eden, që ka podium me drita furfuritëse, staf lepe-peqe, para offshore dhe që ka luksin të shpallë të tjerët të turpshëm, ndërkohë që vetë ka kaluar çdo vijë të kuqe pa u skuqur asnjëherë.
Kështu ndodhi edhe këtë herë.
Përsëri ka folur Turpi për turp.
Çfarë tragjikomedie?!
Turpi kësaj here u shfaq i indinjuar nga djegia e teserave të Partisë Socialiste.
E quajti “akt të turpshëm”. E tha me një seriozitet që do të ishte bindës, po të mos vinte nga njeriu që ka shndërruar paradoksin në mënyrë qeverisjeje dhe parurpësinë në flamur qeverisës.
Po çfarë është turp?
Është interesante si kjo fjalë zgjohet vetëm kur digjet apo shkelmohet një tesë me logon e partisë. Ndërsa, kur digjen shpresat e qytetarëve, kur boshatisen fshatra e qytete, kur administrata përdoret si degë partie, kur deputetët votojnë me sy nga kryetari dhe jo nga ndërgjegjja, fjala “turp” duket se është me leje plazhi.
Mesa duket, për Turpin-Kryeministër, tesera ka më shumë dinjitet se qytetari.
Ndërkohë që tesera është thjesht një simbol.
Dhe simboli digjet vetëm kur besimi ka marrë flakë më parë.
Askush nuk djeg tesën kur ndihet i dëgjuar.
Askush nuk e hedh tej një identitet politik, nëse nuk mendon se ai identitet e ka hedhur më parë tej.
Prandaj zemërimi nuk duhet drejtuar nga flaka, por nga arsyeja që e ndezi atë.
Nëse anëtarët arrijnë deri aty sa të djegin simbolin e tyre, nuk është sepse kanë lexuar ndonjë manual rebelimi.
Është sepse nuk besojnë më tek Turpi që i drejton.
Në fund të fundit, askush nuk zgjohet një mëngjes e vendos të djegë simbolin e partisë që ka mbështetur. Mes teserës dhe flakës ka një histori zhgënjimesh, heshtjesh dhe përbuzjeje. Ka premtime të pambajtura, njerëz të harruar dhe bindjen se zëri i tyre nuk dëgjohet më.
Ironia është se për vite me radhë vetë Partia Socialiste është ushqyer me retorikën e revoltës. Protesta ishte virtyt kur ishte kundër kundërshtarit. Simbolet mund të sulmoheshin në emër të “reagimit qytetar”.
Sot, kur revolta troket në derën e saj, papritur shpallet “akt i turpshëm” nga Turpi-kryetar.
Por historia na mëson se partitë nuk rrëzohen kur u djegin teserat. Rrëzohen kur njerëzit nuk ndihen më pjesë e tyre prej turpit.
Ndaj leksionet për turpin nga vetë Turpi tingëllojnë paksa si ligjërata mbi maturinë, të mbajtura nga një piroman që ankohet për tymin.
Turpi nuk fillon te flaka e një tese.
Turpi fillon kur një pushtet i turpshëm humbet aftësinë për të parë veten dhe vazhdon t’i japë leksione morali kujtdo tjetër.
Sepse ka një dallim të madh mes atij që djeg një tesë dhe atij që, për vite me radhë, ka djegur besimin e qytetarëve.
E para është një skenë.
E dyta është një mënyrë kriminale qeverisjeje e Turpit-Kryeministër.
Dhe, si në çdo tragjikomedi politike, publiku mbeti përballë një zgjedhjeje të vështirë.
T indinjohet, apo të qeshë.
Sepse ka raste kur pushteti bëhet aq paradoksal, sa arma më e fortë kundër tij nuk është më zemërimi.
Është e qeshura.

