Edvin Selimaj kishte mbërritur në Britaninë e Madhe tre vite më parë në mënyrë të paligjshme, ndërsa tashmë është dënuar me burg pasi drejtonte një magazinë droge në Exeter.
Policia bastisi ambientin në Blackboy Road më 30 qershor, pasi dyshonte se përdorej për shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytet.
Brenda godinës, efektivët gjetën qese me pluhur të bardhë, mijëra paund para cash dhe një listë me emra e shënime që lidhej me shpërndarjen e drogës. Selimaj mbërriti në ambient gjatë kontrollit të policisë dhe u largua menjëherë me vrap.
Efektivët e ndoqën 23-vjeçarin në këmbë, duke e kapur dhe arrestuar pak më vonë në një zonë aty pranë.
Kontrolli i magazinës zbuloi 1,120 paund drogë të kategorisë A, 814 gramë drogë të kategorisë B me vlerë rreth 8,160 paund, si dhe 17,755 paund cash.
Selimaj pranoi se gjatë kësaj periudhe kishte qëndruar në banesa të ndryshme, ndërsa punonte si shpërndarës dhe person përgjegjës për magazinën. Mbrojtja e tij deklaroi në gjykatë se ai kishte hyrë në Britani në mënyrë të paligjshme tre vite më parë, me synimin për të gjetur punë, pasi kishte pasur vështirësi ekonomike në Shqipëri.
Fillimisht ai kishte punuar pa kontratë në ndërtim dhe në lavazhe, përpara se të pranonte të shiste drogë kundrejt pagesës prej 150 paundësh në ditë.
“Ai nuk jetonte në atë adresë”, tha avokatja e mbrojtjes Felicity Payne. “Ishte një magazinë ku ai dhe persona të tjerë shkonin për të marrë drogën dhe për të dorëzuar paratë.”
“Ai shkonte për të rimbushur furnizimet dhe për të dorëzuar paratë. I thuhej se ku duhej të shkonte dhe kujt duhej t’ia shiste.”
Sipas mbrojtjes, paratë që fitonte i përdorte për ushqim dhe shpenzimet e përditshme në Britani, si dhe për t’ia dërguar familjes në Shqipëri.
Selimaj pranoi akuzat për posedim të kokainës dhe kanabisit me qëllim shpërndarjen e tyre, si dhe për përfitim nga pasuria kriminale.
Gjykata e Kurorës në Exeter e dënoi me 3 vite burg. Pas përfundimit të dënimit, ai pritet të dëbohet nga Britania e Madhe dhe të kthehet në Shqipëri.

