Cesar Gastelum po xhironte një video së bashku me dy shokë të tij jashtë një restoranti fast food në lagjen Tres Rios të Culiacan, në veri të Meksikës, të martën në mbrëmje, kur një motor me dy persona u afrua pranë tyre. Njëri nga të mbërriturit e qëlloi nga një distancë e afërt, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Gastelum ishte një figurë e njohur në TikTok, ku ndiqej nga mbi 500 mijë persona, dhe kishte fituar popullaritet falë videove me tematikë humoristike që postonte në rrjetet sociale.
Ngjarje të ngjashme me vrasje të personazheve të rrjeteve sociale nuk janë të izoluara në Meksikë. Vitin e kaluar, Valeria Marquez, 23 vjeç, u vra në një sallon bukurie teksa ishte duke transmetuar drejtpërdrejt në TikTok.
Në videon e tij të fundit, Gastelum dhe shokët e tij ishin të veshur me uniforma portokalli dhe çanta të tipit që përdorin shpërndarësit e ushqimit. Sipas mediave lokale, autoritetet në fillim menduan se viktima ishte një shpërndarës, por më pas u konstatua se bëhej fjalë për influencuesin e rrjeteve sociale.
Forcat e rendit, bashkë me ekipet e mjekësisë ligjore, kanë rrethuar zonën dhe janë duke analizuar gëzhojat e gjetura si edhe regjistrimet nga kamerat e sigurisë, në përpjekje për të siguruar të dhëna që do të ndihmojnë në sqarimin e rastit.
Ende nuk ka persona të arrestuar në lidhje me ngjarjen. Dy autorët që ndodheshin në motor u larguan menjëherë pas atentatit. Autoritetet nuk kanë sqaruar nëse Gastelum kishte marrë kërcënime paraprakisht. Në llogaritë e tij në rrjetet sociale, ai shpesh ndante foto nga udhëtimet dhe daljet, si dhe pranë makinave luksoze.
Në një nga postimet e tij, Gastelum shihej pranë varrit të Leobardo Aispuro, të njohur me pseudonimin “El Gordo Peruci”, një tjetër influencues i vrarë në dhjetor të vitit 2024. Policia dyshoi se vrasja e tij mund të ishte e lidhur me konfliktet mes dy fraksioneve rivale të kartelit Sinaloa.
Situata e dhunës në shtetin Sinaloa, me kryeqytet Culiacan, është përkeqësuar që nga shtatori i vitit 2024, pas përplasjes mes dy grupeve kundërshtare të kartelit, Los Chapitos dhe La Mayiza.

