Akademia Vllaznia pati kënaqësinë të nderojë me një certifikatë mirënjohjeje ish-trajnerin e atletikës dhe ish-përgatitësin atletik të akademisë, njëkohësisht ish-pedagog në Universitetin e Shkodrës, Fatjon Serhati, për kontributin dhe përkushtimin e tij ndër vite.
Mirënjohja u akordua në emër të presidentit të klubit, Alban Xhaferi, dhe iu dorëzua nga drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri në praninë e të gjithë stafit teknik me të cilët bashkëpunoi për shumë kohë.
Prej shtatë vitesh, Serhati jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vazhdon të ushtrojë me të njëjtin pasion profesionin e trajnerit në një akademi futbolli për moshat, duke kontribuar në edukimin dhe zhvillimin sportiv të fëmijëve.
Duke falenderuar për këtë vlerësim që ishte një surprizë e bukur, Serhati shprehu emocionet dhe mirënjohjen e tij, uroi suksese për Vllazninë dhe theksoi se vazhdon ta ndjekë me krenari ekipin e zemrës.
Në mesazhin e tij për trajnerët e Akademisë Vllaznia, ai nënvizoi se emigrimi të bën të kuptosh vlerën e punës dhe të kontributit, ndërsa të punosh për qytetin dhe klubin tënd është një privilegj i madh, që duhet vlerësuar gjithmonë.
Akademia Vllaznia i shpreh mirënjohjen më të sinqertë për kontributin e dhënë ndër vite dhe i uron Serhatit dhe familjes së tij shëndet, suksese dhe arritje të tjera në rrugëtimin profesional.

