Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatin Gurshpatë, në bashkinë e Librazhdit, duke angazhuar dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët.
Sipas informacioneve nga terreni, ndërhyrja po has vështirësi për shkak të relievit të thepisur malor, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarrit.
Ekipet e emergjencës vijojnë operacionin për izolimin e vatrës, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për të shmangur rrezikun e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Qarku i Elbasanit ishte paralajmëruar prej disa ditësh nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile si një nga zonat me rrezik të lartë për zjarre, për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin gjatë fundjavës.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë vatra të reja zjarri.

