Ambasadat e Shteteve të Bashkuara në disa shtete të Lindjes së Mesme u kanë bërë apel qytetarëve amerikanë që të shqyrtojnë mundësinë e largimit nga rajoni ose të jenë gati të evakuohen nëse situata e sigurisë përkeqësohet më tej.
Kjo paralajmërim u shpërnda nga përfaqësitë diplomatike të SHBA në Bahrein, Irak, Izrael, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, një ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi goditje të ashpra ndaj Iranit, duke thënë se do ta godiste Iranin “shumë fort”.
Në komunikatat e sigurisë, shtetasve amerikanë iu kërkua të jenë të kujdesshëm dhe veçanërisht vigjilentë, ndërsa theksohet rëndësia e përgatitjes për mundësinë e anulimit të fluturimeve, mbylljes së përkohshme të hapësirave ajrore, apo pengesave në udhëtim.
“Amerikanët në rajon duhet të marrin në konsideratë largimin ose të jenë të përgatitur të largohen nëse ka përshkallëzim”, thuhej në alarmet e sigurisë të publikuara nga ambasadat.
Shtetasve amerikanë u është rekomanduar gjithashtu të kontrollojnë rregullisht informacionet mbi fluturimet dhe të ndjekin vendimet e autoriteteve lokale. Në Izrael, u sugjerua të identifikojnë strehimoren më të afërt kundër bombardimeve, ndërsa në Jordani iu kërkua të shmangin afërsinë me bazat ushtarake të SHBA-së.
Këto paralajmërime bëhen në një periudhë tensioni të shtuar mes Uashingtonit dhe Teheranit. Përplasjet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë vazhduar prej 28 shkurtit, pavarësisht një periudhe të shkurtër qetësie pas një armëpushimi që dështoi të mbahej.
Ndërkohë, zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA për thellim të krizës, ndërsa ushtria iraniane ka paralajmëruar se çdo shtet që mbështet Uashingtonin do të përballet me pasojat e pasigurta të konfliktit.
Ngjarjet kanë ndikuar edhe në sigurinë detare dhe në tregjet e energjisë. Një dron goditi një anije amerikane të transportit të gazit në një port të Egjiptit; ndërsa një tjetër incident u raportua me një anije cisternë në afërsi të brigjeve të Omanit.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët kryesore të transportit të energjisë në botë, është prekur nga këto tensione, duke çuar në një ulje të ndjeshme të trafikut detar si pasojë e klimës së pasigurisë.
Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se ka vrarë tre luftëtarë të Hezbollahut në jug të Libanit, ndërsa gjatë përleshjeve me militantët e këtij grupi, një ushtar izraelit mbeti i plagosur./AFP

