Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit vazhdon të kryejë kërkime për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Në prag të 28 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, një grup pune kreu një mision në zonën e Shkrelit, në Malësinë e Madhe, me qëllim mbledhjen e informatave dhe verifikimin në terren të vendndodhjes së mundshme të eshtrave të Dom Nikoll Gazullit. Dom Nikoll Gazulli, një figurë e shquar si meshtar, studiues dhe gjuhëtar shqiptar, u ekzekutua pa një proces gjyqësor nga regjimi komunist në vitin 1946; vendi ku prehen eshtrat e tij ende mbetet i panjohur.
Gjatë inspektimit, ekipi zhvilloi një takim me Dom Nikoll Tomën, meshtar i Kishës së Shënkollit, i cili prej vitesh është përkushtuar në mbledhjen e dëshmive dhe të dhënave historike që lidhen me vendin e mundshëm të varrimit të Dom Nikoll Gazullit. Këto të dhëna do të përdoren në fazat e ardhshme të verifikimeve administrative dhe hetimeve të mëtejshme në terren.
Gjatë kërkimeve, u inspektuan Kisha e Shënkollit dhe zona Stërkuj–Dedaj, që sipas dyshimeve mund të fshehin eshtrat e klerikut të zhdukur. Të gjitha informacionet e mbledhura do të shqyrtohen me qëllim identifikimin dhe shënimin e mundshëm të vendvarrimeve të viktimave të komunizmit.
Pas përfundimit të vizitës, përfaqësues të Autoritetit u takuan me Zenel Drangun, kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës. Pika kryesore e diskutimit ishte përgatitja e Ekspozitës së Përhershme Informuese, e cila pritet të hapet në Shkodër më 28 gusht 2026. Ekspozita do të trajtojë historinë e persekutimit të klerit katolik dhe të viktimave të regjimit komunist në qarkun e Shkodrës, me theks të veçantë për Dom Nikoll Gazullin.
Përveç aspektit përkujtimor, ekspozita synon të shërbejë edhe si një platformë edukative për të rinjtë, duke nxitur reflektimin për të shkuarën dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

