BIRN: KiE kundër skenarëve të qeverisë për centralizimin e pushtetit vendor

Publikuar me datë:

Këshilli i Europës sugjeron se një reforme e re territoriale në Shqipëri duhet të fokusohet tek decentralizimi i mëtejshëm i qeverisjes vendore në kompetenca dhe funksione si dhe  mbështetje financiare më e lartë dhe e barabartë për njësitë –  sugjerime që bien në kundërshtim me planet e qeverisë për një centralizim të mëtejshëm të këtij pushteti duke propozuar më pak bashki.

Një raport paraprak monitorimi mbi zbatimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri, i përgatitur nga raportuesit Anders Knape dhe Sören Schumacher, sugjeron që çdo ndryshim i hartës administrative të bazohet në konsultim real me pushtetin vendor dhe komunitetet lokale, pasi të jetë vlerësuar me kujdes reforma e vitit 2014.

Një dekadë pas kësaj reforme, mazhoranca socialiste hodhi në publik një studim analitik që dilte në përfundimin se harta aktuale nuk i përgjigjet më realitetit demografik dhe ekonomik të vendit, duke propozuar si mekanizëm të rritjes së efikasitetit një riorganizim territorial.

Ndryshe nga analiza e PS-së, projekt-raporti i Këshillit të Europës e zhvendos analizën tek shkaqet që kanë prodhuar këtë performancë të dobët, duke mos u kufizuar vetëm te madhësia apo kapaciteti i bashkive, por tek centralizimi i kompetencave, autonomia e kufizuar, financimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e burimeve administrative.

Raportuesit e KiE-së ngrenë shqetësimin se kjo nuk do t’i zgjidhë problematikat, duke sugjeruar se performanca e qeverisjes vendore kërkon decentralizim të mëtejshëm, rritje të kompetencave dhe burimeve financiare të bashkive.

“Reforma e re strukturore e propozuar, e cila pritet të sjellë bashkime të mëtejshme të njësive të vetëqeverisjes vendore, ndan opinionin publik dhe përfaqësuesit vendorë kryesisht sipas vijave politike,” vërehet në dokument.

Raportuesit theksojnë se “ekziston një mospërputhje midis bashkimit të mëtejshëm të bashkive dhe centralizimit të vazhdueshëm të disa shërbimeve publike”.

Bazuar në gjetjet e monitorimit, ata vlerësojnë se pushtetit vendor në Shqipëri duhet t’i besohet një rol dukshëm më i madh në ofrimin e shërbimeve publike vendore.

“Ndërsa qeveria argumenton se bashkive u mungojnë kapacitetet për të administruar në mënyrë të pavarur fusha si arsimi, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve, raportuesit theksojnë se, në frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, përgjigjja e duhur nuk është centralizimi, por forcimi i kapaciteteve administrative dhe financiare të pushtetit vendor,” thotë raporti.

Në këtë kontekst, ata vërejnë se për shumë funksione të detyrueshme bashkitë nuk gëzojnë kompetenca të plota dhe ekskluzive, por kufizohen në zbatim mekanik të vendimeve ose mirëmbajtje institucionale. Si rrjedhojë, raporti konstaton se “Shqipëria nuk përfiton plotësisht nga parimi i subsidiaritetit”.

Mospërmbushja e detyrimeve ligjore nga njësitë vendore lidhet kryesisht me varësinë nga financat qendrore.

Vëzhgimi i raportuesve del në përfundimin se me përjashtim të qyteteve më të mëdha, pushteti vendor në Shqipëri është seriozisht i nënfinancuar dhe nuk disponon burime të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet ligjore.

“Për këtë arsye, është e nevojshme të rishikohet mënyra e llogaritjes së granteve të pakushtëzuara, pasi niveli aktual i tyre është i ulët dhe mban bashkitë në vështirësi financiare”- rekomandon ai duke konstatuar se shumica e bashkive nuk janë në gjendje të zhvillojnë politika të tyre vendore.

Në këtë kuadër, raportuesit e Këshillit të Europës japin rekomandime për decentralizim të pushtetit vendor, forcim të kapaciteteve të tyre financiare dhe delegim të shërbimeve.

Mënyra se si qeveria qendrore financon njësitë vendore konsiderohet si jo efektiv dhe ka shqetësime për pabarazi në ndarjet e këtyre financave për arsye politike.

“Sistemi aktual i barazimit financiar, i zbatuar përmes granteve të pakushtëzuara, nuk duket efektiv në përmirësimin e gjendjes së bashkive financiarisht më të dobëta ose në zvogëlimin e pabarazive rajonale. Raportuesit rekomandojnë një rishikim të plotë të këtij sistemi dhe krijimin e një mekanizmi më efektiv e transparent, të bazuar në kritere objektive”.

“Ashtu si në luftën kundër korrupsionit, transparenca është thelbësore edhe në shpërndarjen e burimeve buxhetore,” shton më tej raporti, duke e lidhur këtë me nevojën për trajtim të barabartë të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe shpërndarje të subvencioneve sipas kritereve objektive dhe të verifikueshme.

Një tjetër shqetësim lidhet me faktin autonomia e bashkive në zbatimin e funksioneve të deleguara, siç janë arsimi apo menaxhimi i mbetejeve, mbetet shumë e kufizuar.

Lidhur me këtë raportuesit dalin në përfundimin se shumë bashki nuk kanë burime financiare dhe personel të mjaftueshëm për të kryer funksionet e deleguara dhe detyrohen t’i mbulojnë këto kosto nga buxhetet e tyre, gjë që bie në kundërshtim me një nga parimet themelore të Kartës, sipas të cilit autoritetet vendore duhet të financohen nga shteti në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji.

Një vëmendje të veçantë i kushtohet problematikës me mbledhjen e taksave vendore, kompetencë që bashkitë shqiptare nuk e ushtrojnë në mënyrë efektive për shkak të mangësive administrative.

Në raport vihet theksi tek taksa e pronës e cila vështirësohet nga mungesa e regjistrave të saktë të pronave.

Zgjerimi i kompetencave vendore dhe rritja e burimeve financiare është një element thelbësor në angazhimin e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vëren më tej raporti, pasi “thithja dhe administrimi efektiv i fondeve të ardhshme të BE-së varen nga ekzistenca e një sistemi të fortë dhe funksional të qeverisjes vendore”.

‘Korrupsioni’ dhe ‘polarizimi politik’ konsiderohen gjithashtu si sfidat  për pushtetin vendor. Njësitë e vetëqeverisjes vendore pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Rastet e korrupsionit minojnë besimin e publikut te autoritetet vendore dhe ndikojnë negativisht në autonominë e tyre, pasi shpesh përdoren si argument në favor të centralizimit më të madh.

Shpopullimi I bashkive rurale, veçanërisht për shkak të migrimit të të rinjve drejt qyteteve të mëdha ose jashtë vendit, konsiderohet një fenomen me ‘pasoja serioze për komunitetet lokale’.

Dokumenti, që vlerëson nëse sistemi shqiptar i pushtetit vendor respekton standardet e Kartës dhe ku duhet fokusohet reforma e re që ka marrë përsipër parlamenti shqiptar pritet të shqyrtohet në Kongresin e Autoriteteve Lokale të KiE në tetor./ BIRN

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Shqipëria, më e shtrenjtë se Europa edhe për veshjet

Çmimet e veshjeve në Shqipëri kanë hyrë në një...

E mërkurë me mot të kthjellët dhe të nxehtë

Ditën e sotme vendi ynë do të jetë në...