Belind Këlliçi, nënkryetar i Partisë Demokratike, ka intensifikuar akuzat ndaj qeverisë dhe Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, duke e cilësuar një skemë të dyshimtë financiare rreth licencës së kazinosë në kullën “Air Albania”.
Përmes rrjeteve sociale, Këlliçi publikoi një fotografi të Olsi Ramës krah Gert Hakës, dhe pretendoi se Haka ka përfituar nga një veprim i dyshimtë me pronat.
“Shokut të ngushtë të Olsi Ramës i ka ndodhur një mrekulli financiare, një përmbysje e paimagjinueshme edhe në skenarët e Hollivudit. Për 2 muaj ai ‘blen’ një tokë 320 mijë euro dhe e rivlerëson në 26 milionë euro. Me gjysmën e kësaj toke ai bëhet pronar i kazinosë së kullës ‘Air Albania’”, shkruan Këlliçi.
Ai theksoi se kjo skemë është realizuar pa u penguar nga autoritetet që, sipas ligjit, janë të ngarkuara me monitorimin dhe luftën kundër pastrimit të parave.
“Kjo lëvizje bëhet nën hundën e disa institucioneve që monitorojnë dhe teorikisht luftojnë pastrimin e parave, me në krye SPAK. Me Edi Ramën, Olsi dhe shokët e tij kanë gjetur parajsën në Shqipëri”, shprehet ai.
Këlliçi nënvizoi gjithashtu se gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, shumë qytetarë janë larguar nga vendi, ndërsa “i vetmi që është kthyer është vëllai i Kryeministrit dhe shoqëria e tij”.
Më herët gjatë ditës, ai dhe Sali Berisha, kreu i PD-së, shpalosën në një konferencë për mediat denoncimin lidhur me licencën e kazinosë në kullën “Air Albania”.
Sipas deklaratës së Këlliçit, licenca iu është dhënë një kompanie që, siç pretendon ai, ka lidhje të ngushta me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Ai renditi emra të individëve që, sipas tij, janë të përfshirë në këtë rast dhe që kanë lidhje me familjen Rama.
Këlliçi shpjegoi se kompania “Space +”, e cila u pajis me licencë për të operuar kazinonë në hotelin me pesë yje të kullës “Air Albania”, ndryshoi strukturën e aksionerëve në vitin 2025, duke ia kaluar aksionet nga “ALB-STAR” te “GLG Investment”.
Një prej akuzave kryesore të Këlliçit përfshinte rivlerësimin e një toke në Kepin e Rodonit. Sipas tij, një tokë me sipërfaqe 275 mijë metra katrorë që ishte blerë për rreth 320 mijë euro, brenda disa muajve u rivlerësua në 26 milionë euro. Ky vlerësim u përdor për të rritur kapitalin e shoqërisë dhe, në këtë mënyrë, u mundësua ndryshimi i aksionarëve pa humbur licencën e kazinosë.
Më tej, ai deklaroi se prapa “GLG Investment” qëndron një rrjet kompanish offshore, ndërsa shprehu dyshime për origjinën e kapitalit dhe identitetin e pronarëve përfitues.

