Shkodra ishte mbrëmjen e së hënës një nga ndalesat e “Kolonës për Palestinën”, një iniciativë paqësore që ka bashkuar aktivistë, vullnetarë humanitarë dhe qytetarë nga vende të ndryshme të Europës në shenjë solidariteti me popullin palestinez.
Aktiviteti u mbajt në sheshin para Bashkisë së Shkodrës, qytetarë iu bashkuan pjesëmarrësve për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj palestinezëve. Gjatë takimit u përcollën mesazhe në mbështetje të paqes, solidaritetit mes popujve dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Karvani është duke përshkuar disa shtete europiane në itinerarin e tij drejt Stambollit, ku pritet t’i bashkohen pjesëmarrës nga vende të tjera përpara vijimit të etapës së ardhshme të misionit. Qëllimi i këtij rrugëtimi është të mbështesë përpjekjet për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare ndaj krizës humanitare në territor.
Sipas organizatorëve, nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin për situatën humanitare në Palestinë dhe të shprehë mbështetje për civilët e prekur nga konflikti. Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit bënë thirrje për paqe, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e solidaritetit ndërkombëtar.

