Tirana dhe Elbasani “nën pushtetin” e pluhurit, raporti nxjerr ndotësit kryesorë të ajrit

Publikuar me datë:

Tirana dhe Elbasani vijojnë të kenë nivele të larta të grimcave PM10 (pluhur i imët që qëndron pezull në ajër dhe mund të depërtojë në rrugët e frymëmarrjes) duke tejkaluar kufijtë vjetorë të lejuar.

Elbasani rezulton gjithashtu qyteti i vetëm ku është tejkaluar norma për dioksidin e azotit (NO₂). Të paktën kështu rezulton në Raportin e Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Raporti bazohet në monitorimin e cilësisë së ajrit në nëntë stacione në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Matjet përfshijnë ndotësit kryesorë të ajrit, si grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, dioksidin e azotit (NO₂), dioksidin e squfurit (SO₂), ozonin (O₃), monoksidin e karbonit (CO) dhe benzenin, për të vlerësuar nëse ajri përmbush standardet kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Sipas AKM-së, PM10 janë grimca pluhuri me diametër deri në 10 mikrometra, të cilat krijohen kryesisht nga trafiku rrugor, aktivitetet industriale, ngrohja me lëndë djegëse dhe burime të tjera. Raporti thekson se këto grimca mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, ndërsa ekspozimi afatgjatë lidhet edhe me rreziqe më të larta për shëndetin.

Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, norma vjetore për PM10 u tejkalua në dy stacione monitorimi. Në stacionin “Tirana Higjena” u regjistrua një mesatare prej 57.66 mikrogramë për metër kub, ose 44% mbi kufirin e lejuar, ndërsa në Elbasan vlera arriti në 59.72 mikrogramë për metër kub, 49% mbi normë.

Raporti evidenton gjithashtu se në stacionin “Tirana Higjena” u regjistruan 33 ditë me përqendrime të PM10 mbi kufirin ditor të lejuar, nga maksimumi prej 35 ditësh që lejon standardi brenda një viti.

Për grimcat edhe më të imëta PM2.5, të cilat depërtojnë më thellë në mushkëri, AKM raporton se nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë prej stacioneve të monitoruara, megjithëse vlerat në Korçë rezultuan pranë kufirit të lejuar.

Sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial, tejkalim i vlerës kufi vjetore është regjistruar vetëm në Elbasan, ku mesatarja arriti në 40.18 mikrogramë për metër kub.

Për ndotësit e tjerë, AKM konstaton se nuk janë regjistruar tejkalime të kufijve për dioksidin e squfurit (SO₂). Ndërkohë, tejkalime të normës tetëorëshe për ozonin janë evidentuar në Fier, Korçë, Shkodër dhe në dy stacionet e Tiranës, ndërsa për monoksidin e karbonit tejkalimi është regjistruar vetëm në Fier. Për benzenin nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë stacion.

Në përfundimet e raportit, AKM vlerëson se “cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është e një niveli shumë të mirë”. Sipas institucionit, ndotësi kryesor mbeten grimcat PM10, veçanërisht në stacionet “Tirana Higjena” dhe Elbasan, ku burimi kryesor i ndotjes identifikohet trafiku rrugor. Monitorimet shumëvjeçare tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri lidhen me trafikun, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile për ngrohje. /Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Vllaznia rikthen në fokus François Dulysse, nisin kontaktet për mbrojtësin haitian

Vllaznia vijon lëvizjet në merkaton e verës për të...

Ndodh në Shkodër/ Turistët i futen në shtëpi humoristit Tan Brahimi

Dy turistë nga Anglia kanë hyrë pa autorizim në...

Të reja nga aksidenti në Portin e Durrësit, si e shtypi shoferi i kamionit kolegun

Zbardhen të tjera të dhëna lidhur me aksidentin tragjik...

Bardh Spahia: Deklaratat e Vuçiçit janë kërcënim për Kosovën, Rama po hesht

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar pas...