Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin çek Andrej Babiš, bëri të ditur se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të zhvillohen në tetor ose në fillim të nëntorit. Ai sqaroi se këto zgjedhje nuk do të mbahen njëkohësisht me ato presidenciale.
“Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit 2026 dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. Pra, para fundit të vitit, me siguri do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale.“
Në fund të qershorit, Vuçiç i ka njoftuar anëtarët dhe mbështetësit e partisë së tij se planifikon të japë dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai kërkon që partia e tij të marrë një mandat të ri, pavarësisht protestave të vazhdueshme që kanë mbërthyer vendin për më shumë se një vit dhe i kanë rritur presionin ndaj qeverisë së tij.
Protestat, të cilat shpërthyen në vitin 2024 pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona, ndezën një valë të gjerë pakënaqësie. Ngjarja solli akuza për korrupsion, mungesë të transparencës dhe dobësim të shtetit të së drejtës.
Që nga ai moment, studentët, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar në mënyrë të vazhdueshme protesta duke kërkuar përgjegjësi politike, ndryshime institucionale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

