Arbitri holandez Rob Dieperink ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, pak javë pas përjashtimit të tij nga lista e arbitrave të Kupës së Botës, pas arrestimit të tij në Britaninë e Madhe në lidhje me akuza për sulm seksual ndaj një adoleshenti.
Lajmi është konfirmuar nga Federata Holandeze e Futbollit (KNVB), e cila shprehu se është “e tronditur dhe thellësisht e pikëlluar” për humbjen e këtij arbitri me një karrierë ndërkombëtare të rëndësishme. Nuk është bërë ende e qartë shkaku i vdekjes së tij.
Edhe me këtë rezultat, FIFA vendosi ta përjashtonte Dieperink nga lista e zyrtarëve që do të merrnin pjesë në Kupën e Botës, një vendim që ai e konsideroi zhgënjyes.
Pas mbylljes së hetimeve, ai reagoi duke thënë se ishte “akuzuar padrejtësisht” dhe se kishte bashkëpunuar plotësisht me autoritetet, përfshirë policinë, FIFA-n, UEFA-n dhe Federatën Holandeze të Futbollit.
Incidenti i dyshuar ndodhi në prag të një ndeshjeje të UEFA Conference League në Londër, ndërsa Dieperink ndodhej në Angli për detyra zyrtare. Ai ishte arrestuar në praninë e zyrtarëve të tjerë të UEFA-s.
Federata Holandeze e cilësoi Dieperink si një arbitër të respektuar dhe një koleg të përkushtuar, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur.
Rob Dieperink filloi karrierën e tij si arbitër profesionist në vitin 2012 dhe që prej vitit 2017 drejtonte ndeshje në Eredivisie. Ai kishte shërbyer gjithashtu si arbitër VAR në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani. Ndeshja e tij e fundit u zhvillua vetëm disa ditë para vdekjes, në një miqësore mes Go Ahead Eagles dhe Apollon FC.

