Katër ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Shkodrën, 64-vjeçari Shqefen Ziçi që ekzekutoi bashkëshorten e tij me armë gjahu, është paraqitur para Gjykatës së Shkodrës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Gjykata, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë, vendosi ndaj tij masën “arrest me burg”.
Gjatë seancës, autori nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Mbrojtja e tij ligjore, e përfaqësuar nga avokati Agim Martini, kërkoi që 64-vjeçari t’i nënshtrohet një ekspertimi psikiatrik, duke argumentuar se ngjarja ka ndodhur në rrethana të pazakonta dhe të pashpjegueshme.
Sipas avokatit, deri në ditën e krimit, Ziçi kishte bërë një jetë të qetë familjare. Ai dhe bashkëshortja kishin krijuar familjen e tyre dhe kishin rritur dy fëmijë, ndërsa nuk rezultojnë konflikte të mëparshme, urdhra mbrojtjeje apo probleme të njohura mes çiftit.
Pikërisht këto rrethana, sipas mbrojtjes, e bëjnë të nevojshëm një vlerësim të gjendjes psikike të të pandehurit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se pas arrestimit, 64-vjeçari ka folur shumë pak me efektivët e policisë. Ai mësohet të ketë shprehur tronditje për ngjarjen, pa dhënë më tej shpjegime të detajuara para hetuesve.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit vijojnë.

