Pas ndarjes me Vllazninë dhe rikthimit te Teuta, mesfushori Sherif Kallaku ka reaguar përmes një mesazhi publik, ku ka falënderuar klubin shkodran dhe tifozët, por ka lënë edhe një mesazh që ka ngjallur diskutime.
Futbollisti e cilësoi eksperiencën te Vllaznia si një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij, duke vlerësuar sakrificat e bëra së bashku me ekipin dhe mbështetjen e tifozëve kuqeblu.
Në deklaratën e tij, Kallaku thekson se çdo futbollist ka nevojë për stabilitet dhe kushte të përshtatshme për të shfaqur potencialin maksimal në fushë, duke lënë të kuptohet se mungesa e këtyre elementeve ka ndikuar në vendimin e tij për t’u larguar.
“Ndahesh me vështirësi nga një klub si Vllaznia, sidomos kur aty kam përjetuar një nga vitet më të bukura të karrierës sime. Falënderoj shokët e skuadrës për gjithçka që kaluam së bashku dhe tifozët që na mbështetën në çdo moment.
Por përtej pasionit, një futbollist ka nevojë për qetësi dhe kushte dinjitoze për të dhënë më të mirën. Kur këto mungojnë, detyrohesh të marrësh vendime që ndoshta në rrethana të tjera nuk do t’i kishe marrë”, shprehet Kallaku.
Deklarata e mesfushorit ka sjellë reagime në ambientin sportiv shkodran, pasi shumë e kanë lidhur këtë mesazh me problemet e raportuara më herët në klub, përfshirë edhe çështjen e vonesave në pagesa.
Megjithatë, vetë Kallaku nuk ka përmendur drejtpërdrejt arsye financiare apo detaje të tjera konkrete, duke lënë të hapura interpretimet mbi motivet e largimit të tij.
Pas një sezoni ku ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm të Vllaznisë, Sherif Kallaku do ta vazhdojë tashmë karrierën e tij me fanellën e Teutës.

