Të dhënat e dala nga procesi i pikëzimit shtojnë dyshimet se përzgjedhja e drejtuesve të Komisionit të Prokurimit Publik mund të jetë paracaktuar përpara se Kuvendi të kryejë procedurën kushtetuese dhe ligjore.
Skenari që po përflitet është i qartë: Ismail Shehu kryetar i KPP-së dhe Enea Hoti nënkryetar, me mbështetje politike nga Ulsi Manja dhe me përkrahjen e Belinda Ballukut.
Nëse ky skenar materializohet, Ulsi Manja duhet t’u përgjigjet publikisht disa pyetjeve të drejtpërdrejta:
A po zhvillon Komisioni i Ligjeve një proces real, transparent dhe të paanshëm, apo vetëm po formalizon një marrëveshje politike të marrë më parë?
Pse emrat e drejtuesve të ardhshëm të një institucioni të pavarur përfliten si të vendosur ende pa përfunduar shqyrtimi parlamentar?
Kush ia ka dhënë politikës të drejtën të përcaktojë paraprakisht edhe nënkryetarin e KPP-së, kur ligji ia njeh këtë kompetencë vetë anëtarëve të Komisionit?
Ligji parashikon se Kuvendi zgjedh kryetarin dhe anëtarët, ndërsa nënkryetari zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve në mbledhjen e parë të KPP-së. Pra, çdo marrëveshje paraprake politike për këtë funksion do ta kthente votimin e anëtarëve në një teatër institucional.
Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë administrativ që kontrollon ligjshmërinë e tenderave. Ai nuk mund të trajtohet si plaçkë pushteti, as si zgjatim i Ministrisë së Infrastrukturës, i Komisionit të Ligjeve apo i ndonjë grupi politik.
Ulsi Manja dhe Belinda Balluku duhet të deklarojnë publikisht nëse kanë ndërhyrë ose jo në këtë proces. Heshtja, përballë një skenari kaq konkret, vetëm sa i forcon dyshimet.
Nga Timoni.al

