Përgjatë reagimeve të shumta pas incidentit të dhunimit të një 17-vjeçareje në Fier, prindërit e njërës prej vajzave 15-vjeçare të përfshira në këtë rast kanë ndarë mendimet e tyre.
Ata shprehen se njoftimin për ngjarjen e morën fillimisht përmes mediave dhe më pas iu drejtuan policisë për të dhënë dëshminë e tyre.
Me emocione të forta, nëna e vajzës 15-vjeçare shprehu keqardhje të thellë dhe kërkoi falje publike për vajzën e dhunuar dhe familjen e saj. “Më mori policia, nuk di gjë. Ju kërkoj ndjesë prindërve të asaj goce. Sikur të më kishte ndodhur mua, do t’i kërkoja 100 herë ndjesë. Jam shumë e prekur, sikur t’ia kishin bërë fëmijës tim. Jam shumë e prekur. Po vajzën e kemi çuar për ta vizituar dhe është me probleme. Psikologia e shkollës e ka marrë, por s’ka bërë asgjë. Unë kërkoj shërim të plotë të gocës, sepse e kemi me probleme të shëndetit mendor dhe nuk kam fare gjendje ekonomike. Nuk e përballoj dot mjekimin. I kërkoj ndjesë familjes së vajzës dhe asaj vajzës”, shprehu ajo për Top Channel.
Prindërit e vajzës tregojnë se ajo ishte diagnostikuar tre muaj më parë me probleme të shëndetit mendor dhe se për një kohë të gjatë kanë kërkuar ndihmë nga institucionet për trajtimin e saj. Sipas tyre, vajza kishte treguar shenja të agresivitetit edhe më parë, por kërkesat për mbështetje nuk ishin trajtuar siç duhet.
Me sfida financiare për të mbuluar trajtimin e specializuar, familja apelon për ndihmën e institucioneve shtetërore për të siguruar kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe psikologjik për vajzën e tyre.
Pavarësisht situatës së vështirë, prindërit theksojnë se nuk kanë për qëllim të justifikojnë veprimet e vajzës, por kërkojnë që, krahas ndëshkimeve ligjore për ngjarjen, të merret parasysh nevoja për trajtim të problemeve të saj shëndetësore.

