Delegacioni i eurodeputetëve nga grupi Gjelbër/Aleanca e Lirë Evropiane (Greens/EFA) në Parlamentin Europian përfundoi misionin e tij faktmbledhës në Shqipëri këtë të mërkurë, duke u njohur nga afër me shqetësimet e ngritura për projektin turistik në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, si dhe me protestat që kanë vazhduar për më shumë se një muaj në Tiranë.
Gjatë një konference për mediat në Europe House, eurodeputetja holandeze Tineke Strik komentoi gjithashtu akuzat për korrupsion që rëndojnë mbi zyrtarët e lartë, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të ruajë një qëndrim të fortë dhe pa tolerancë ndaj korrupsionit.
“Politikanët nuk duhet të mbrohen apo të pengojnë hetimet”, theksoi ajo, duke kërkuar që qeveria të angazhohet seriozisht për të ndërtuar një sistem funksional të shtetit të së drejtës, me një qasje të ashpër ndaj korrupsionit dhe procedurave të padrejta në prokurimin publik.
Strik gjithashtu komentoi mbi protestat që kanë zgjatur 32 ditë në Tiranë, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Sipas eurodeputetes, reagimi i autoriteteve ndaj protestuesve paqësorë nuk përkon me standardet demokratike të pranuara.
Delegacioni i Greens/EFA realizoi takime me institucione, organizata të shoqërisë civile, dhe qytetarë, ndërsa vizita e tyre përfshinte gjithashtu shqetësime mbi ndikimin e projektit turistik në zonën e mbrojtur të lagunës Vjosë-Nartë, për të cilin eurodeputetët kishin ngritur alarmin lidhur me përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

