Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit, ku një 69-vjeçar dyshohet se ka tentuar t’i marrë jetën bashkëshortes së tij 67-vjeçare duke e lyer me benzinë dhe duke i vënë flakën.
Sipas burimeve paraprake, autori i dyshuar ndodhej në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Fillimisht ai ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij, Minushe Danga, ndërsa më pas i ka marrë me forcë telefonin celular. Në kulmin e konfliktit, 69-vjeçari dyshohet se e ka spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën.
Hetimet paraprake tregojnë se shkak i konfliktit mund të kenë qenë motive xhelozie, megjithëse rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende objekt hetimi nga organet kompetente.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në banesën e çiftit, të cilët jetonin vetëm, pasi djali i tyre ndodhet emigrant në Greqi. Sipas informacioneve të siguruara, dhuna në familje kishte qenë e përsëritur prej kohësh dhe 67-vjeçarja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit.
Pas ngjarjes, e dëmtuara është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku mori ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas u dërgua në repartin e djegieve në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, policia ka arrestuar 69-vjeçarin pas sinjalizimit të fqinjëve. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë edhe veprat penale që do t’i ngarkohen të dyshuarit pas përfundimit të hetimeve paraprake.

