Eksperti i biodiversitetit, Mark Rupa ka reaguar pas publikimit të raportit më të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit për cilësinë e ujërave të plazheve, duke theksuar se Shqipëria mbetet dukshëm pas standardeve europiane.
Sipas të dhënave të raportit, vetëm 16.8% e zonave të monitoruara në vend klasifikohen me cilësi “Excellent”, ndërsa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian arrin në rreth 84.8%.
Analiza evidenton diferenca të konsiderueshme edhe brenda vetë bregdetit shqiptar. Velipoja, e cila deri në vitin 2023 renditej në kategorinë më të lartë të cilësisë së ujërave, në dy vitet e fundit ka kaluar në nivelin “Good”. Ndërkohë, Shëngjini rezulton në kategorinë “Poor”, duke u renditur mes zonave me performancën më problematike.
Ndryshe paraqitet situata në jug të vendit, ku Dhërmiu vazhdon të mbajë vlerësimin “Excellent”, ndërsa pjesa më e madhe e plazheve të rivierës klasifikohen si “Good”. Raporti ngre shqetësime edhe për disa zona të Durrësit, ku evidentohen probleme të lidhura me ndotjen e ujërave.
Përmes një reagimi publik, Rupa thekson se peizazhi dhe bukuria natyrore e bregdetit shqiptar nuk duhet të errësojnë problemet reale mjedisore, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e vijës bregdetare.
Sipas tij, raporti duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për autoritetet dhe publikun, në mënyrë që përmirësimi i cilësisë së ujërave të kthehet në një prioritet të menjëhershëm.

